Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, António Guterres, njoftoi sot për emërimin e Peter N. Due nga Danimarka si Përfaqësues të tij të ri Special dhe Shef të Misionit të Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK).
z. Due pason Caroline Ziadeh nga Libani, të cilës Sekretari i Përgjithshëm i është mirënjohës për përpjekjet e saj të përkushtuara për të çuar më tej paqen dhe stabilitetin në Kosovë dhe rajon, si dhe për udhëheqjen e saj efektive të Misionit.
z. Due sjell në këtë pozicion 30 vjet përvojë të gjerë në paqen dhe sigurinë ndërkombëtare. Që nga viti 2019, ai ka shërbyer si drejtor për Azinë dhe Paqësorin në Departamentet e Çështjeve Politike dhe të Ndërtimit të Paqes dhe Operacioneve të Paqes. Më parë, ai ishte drejtor për Azinë, Lindjen e Mesme, Evropën dhe Amerikën Latine në Departamentin e Operacioneve Paqeruajtëse (2015-2019). z. Due shërbeu gjithashtu si Përfaqësues i Sekretarit të Përgjithshëm dhe shef i Zyrës së Kombeve të Bashkuara në Beograd (2013-2015), si dhe ishte zyrtar për Çështje Politike në UNMIK në Prishtinë. Në Nju Jork, ai ka punuar edhe në pozitat si shef i Zyrës/asistent special i Nënsekretarit të Përgjithshëm për Operacionet Paqeruajtëse (2009-2013), udhëheqës i Ekipit për Afrikën Perëndimore (2008-2009) dhe Udhëheqës Ekipi për Evropën dhe Amerikën Latine (2008).
Përveç detyrave të tij në Kombet e Bashkuara, z. Due shërbeu në Ministrinë e Punëve të Jashtme Daneze, në Kopenhagë dhe në Eritre.
z. Due ka një diplomë Bachelor dhe një diplomë Master në Filozofi, Politikë dhe Ekonomi nga Universiteti i Oksfordit, Mbretëria e Bashkuar; një diplomë Master në Marrëdhënie Ndërkombëtare nga Instituti i Studimeve Ndërkombëtare në Gjenevë, Zvicër, si dhe një diplomë Master në Shkenca Sociale dhe Filozofi nga Universiteti i Kopenhagës, Danimarkë. Përveç gjuhës së tij amtare daneze, ai flet anglisht, frëngjisht dhe gjermanisht

